MENDO PËR SHËNDETIN TËND

NATYROPATIA STUDIO  e hapur në Tiranë nga natyropat ARBEN GJONI për më shumë se tre vjet ka kryer mbi 4000 vizita natyropatike në qytetarë të rinj, të vjetër, fëmijë, sportivë, të të dy gjinive. U ka ardhur në ndihmë atyre me teknika natyrore për mirëqenien psikofizike si dhe në kurimin e disa sëmundjeve nëpërmjet përdorimit të ushqimit dhe integratorëve ushqimorë.

KUINOA (quinoa)

 

Kuinoa është bimë që i konsumohen zakonisht farat. Shumë njerëz e ngatërrojnë me drithin, por në fakt ajo është pseudo-drith, me fjalë të tjera është një farë që është trajtuar dhe konsumuar si një drith. Studimet e fundit e kanë klasifikuar si frut dhe jo si drith.  Është një nga ushqimet shëndetësore më të njohura në botë. Rritet në malet e Andeve në lartësi nga 1800 deri në 5000 metra dhe për mijëra vjet ka qenë elementi kryesor ushqyes për popujt e lindur atje. Kuinoa ka qenë një kulturë e rëndësishme për perandorinë Inkase. Ata e quanin atë si "nëna e të gjitha kokrrave" dhe besonin se ajo ishte e shenjtë. Vendi i origjinës së kuinoas është Peruja dhe Bolivia, vende ku ende kultivohet duke përdorur metoda tradicionale të kaluara nga brezi në brez. Kuinoa është një bimë që nuk kërkon ndonjë kujdes të veçantë dhe maturohet në rreth 7 muaj nga mbjellja e saj. Është një nga ushqimet e pakta bimore me shumë proteina. Për këtë arsye ka një propozim nga NASA si një ushqim ideal për fluturime hapësinore me kohëzgjatje. Përmban nëntë aminoacide esenciale. Gjithashtu është e pasur në fibra, magnez, vitamina të grupit B, hekur, kalium, kalcium, fosfor, vitaminë E dhe antioksidantë të tjerë të dobishëm. Ajo është bërë e modës dhe ka arritur statusin e "superushqimit" disa vite më parë. Konsiderohet si një “superushqim” për shkak se ajo përdoret shumë në kuzhinë dhe ka veti të shumta shëndetësore. Viti 2013 u quajt nga Kombet e Bashkuara "Viti ndërkombëtar i Kuinoas", bazuar në vlerat e saj të larta ushqyese dhe potencialin për të kontribuar në sigurinë e ushqimit në mbarë botën. Kjo bimë është në gjendje për tu përshtatur në klima dhe terrene shumë të vështira dhe për këtë arsye ka potencialin për tu kultivuar në shumë vende të Botës. Për herë të parë është kultivuar mbi 5000 vjet më parë. Edhe pse ka me qindra lloje të kultivuara të kuinoas, versionet më të zakonshme në dispozicion në dyqane janë të bardha, të kuqe dhe të zeza.

 

Përbërja kimike e kuinoas.

 

Ajo është e përbërë nga 13.2% ujë, 14.1% proteina, 51% niseshte, 7% fije dietetike, 6% yndyrna dhe karbohidrate.

Mineralet: magnez, natrium, fosfor, hekur, kalium, mangan, bakër, selen, zink. Përmban sasi të vogla të Omega 3 acide yndyrore, beta-carotenë, beta-cryptoxanthin, luteinë dhe zeaxanthin.

Vitaminat: vitamina A, vitamina B1, B2, B3, B5, B6, vitaminë C, vitaminë E.

Aminoacidet si: lysinë, methioninë, acid aspartik, acid glutamik, argininë, alaninë, phenylalaninë, glicinë, isoleucinë, leucinë, histidinë, prolinë, tiroksinë, treoninë, triptofan dhe valinë.

 

 

 

 

 

Përfitimet shëndetësore

 

1. Përmban komponimet quercetin dhe kaempferol në sasi të mëdha. Këto molekula janë të rëndësishme sepse kanë treguar të jenë anti-inflamatore, anti-virale, anti-kancer dhe anti-depresivë në studimet që janë bërë në kafshë. Janë antioksidantë të fuqishëm bimorë me përfitime për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

 

2. Është shumë e pasur në fibra, shumë më e pasur se shumica e drithërave, të cilat mund të ndihmojnë në uljen e niveleve të sheqerit në gjak, në uljen e kolesterolit, rritin ngopjen duke ndihmuar në humbjen në peshë.

 

3. Kuinoa nuk përmban gluten edhe pse është e pasur në niseshte, kështuqë është një ushqim i përshtatshëm për ata që vuajnë nga sëmundje celiac.

 

4. Përmban nëntë aminoacide esenciale. Për këtë arsye, ajo është një burim i shkëlqyer i proteinave me bazë bimore, proteina që u duhen në veçanti vegjetarianëve dhe veganëve. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ajo është në gjendje e vetme të zëvendësojë proteinat shtazore.

 

5. Ka një indeks të ulët glicemik, rreth 53, që është i mirë për kontrollin e sheqerit në gjak. Indeksi glicemik 53 konsiderohet i ulët. Megjithatë është ende relativisht i lartë në karbohidratet.

 

6. Ka efekt të dobishëm për metabolizmin. Duke pasur parasysh sasinë e lartë të ushqyesve të dobishëm, ka kuptim që kuinoa mund të çojë në përmirësimin e metabolizmit.

 

7. Është shumë e pasur në antioksidantë, substanca që neutralizojnë radikalet e lira dhe besohet që ndihmojnë në luftën kundër plakjes dhe shumë sëmundjeve. Nëse farat germolizohen, përfitimi në antioksidantë është akoma më i madh.

 

8. Ndihmon në tretjen e ushqimit. Përmbajtja e lartë e fibrave ndihmon në lëvizshmërinë e  zorrëve duke ndihmuar në procesin e tretjes. Gjithashtu mund të jetë e dobishme për ata që duan të humbin në peshë sepse heq oreksin për një kohë të gjatë duke krijuar ndjenjën e ngopjes.

 

9. Ka shumë energji, në 100 gr ka rreth 370 kalori. Për këtë rekomandohet veçanërisht për fëmijët, gratë shtatzëna, atletët.  Përmbajtja e saj e lartë në proteina e bën një alternativë të mirë për ushqime proteinike me origjinë shtazore.

 

10. Ajo është e mirë për muskujt. Përmban lysinë, një aminoacid që është i përfshirë shpesh në suplementë sportivë për të rritur masën muskulore. Lysina stimulon prodhimin e serotoninës, një neurotransmetator përgjegjës për humorin.

 

11. Është e dobishme për aneminë, sepse është një burim i mirë i hekurit dhe përmban vitaminë C e cila lehtëson thithjen e tij.  Hekuri është i dobishëm edhe për muskujt edhe për veprimtarinë intelektuale. Mungesa e tij shkakton anemi me simptoma si dobësi dhe dhimbje koke.

 

12. Ul kolesterolin. Studimet në kafshë kanë treguar se ky ushqim ka aftësi për të ulur nivelet e kolesterolit të keq të gjakut LDL dhe për të mbajtur mirë nivelet e HDL kolesterolit.

 

13.  Meqenëse është e pasur në magnez ka veti shëruese. Bollëku i magnezit është në gjendje për të parandaluar sëmundje kardiovaskulare, aritmi dhe hipertension. Gjithashtu ndihmon për enët e gjakut dhe në migrenë. Magnezi ka veti të dobishme edhe kundër prishjes së dhëmbëve dhe në shëndetin e kockave.

 

14.  Meqë ky ushqim është i pasur në fibra, është shumë i përshtatshëm në rast të kapsllëkut. një filxhan fara kuinoa përmban rreth 20 gram fibra.

 

15. Ajo gjithashtu ndihmon për të reduktuar aciditetin e stomakut dhe të gjitha çrregullimet e  lidhura me stomakun të tilla si gastriti dhe ulçerat.

 

16.  Ndihmon për humbje në peshë. Vetitë e kuinoas e bëjnë atë një ushqim ideal për ata njerëz që i nënshtrohen dietave për të humbur peshë, por që kanë nevojë të madhe për energji dhe minerale.

 

Rreziku nga kuinoa

 

Ka rreziqe shëndetësore që lidhen me ngrënien e kuinoas. Farat e kuinoas janë të veshura me saponine, të cilat janë substanca kimike dhe potencialisht toksike të projektuara për mbrojtjen e bimës nga sëmundjet e shkaktuara nga kërpudhat, bakteriet dhe viruset. Saponinet kanë shije të hidhur dhe si sapun. Mund të shkaktojnë acarim në stomak, ndoshta mund të dëmtojnë zorrën e hollë. Kështu kuinoa duhet të lahet tërësisht në ujë të ftohtë para se të gatuhet.

Por në të njëjtën kohë mund të jetë edhe kurues për veshkat nëse ka infeksione të përsëritura sepse pikërisht saponinet nuk lejojnë bakteriet të ngulen dhe popullohen brënda organizmit tonë.

 

Kundërindikimet e kuinoas

Ajo përmban një sasi mjaft të lartë të oxalateve që reduktojnë absorbimin e kalciumit, kështuqë përdorimi i kuinoas nuk rekomandohet për ata që vuajnë nga osteoporoza ose gurët në veshka.

 

 

 

Përdorimi

Përdoreni atë në vend të orizit në çdo recetë. Kuinoa mund të përfshihet në dietën tuaj në mënyra të ndryshme, si qull në mëngjes, shtesë në sallata, pilaf, kus kus etj. Kuinoa mund të përdoret gjithashtu për të trashur supën. Ajo përgatitet në më pak sa 15 minuta. Gjethet e saj mund të gatuhen në të njëjtën mënyrë si spinaqi. Vetitë dhe shija janë pothuajse të njejta. Është e rekomanduar të konsumohen rreth 50 gr drithëra në ditë. Kështu mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, llojin II të diabetit, presionin e lartë të gjakut, kancerin e zorrës së trashë, obezitetin.

Të gjitha të drejtat e rezervuara nga Natyropatia.al - Natyropat Arben Gjoni |

ADMIN